Artisti feston 70 vite jetë dhe 50 vite muzikë Nga Olti CURRI “Luftoj me muzikën, duke qëndruar në anën e punëtorëve. Jam motori i vërtetë i botës!” Pas këtyre fjalëve, po të duam, Adriano Celentanon mund ta quajmë mendjemadh, arrogant dhe prepotent. E, sidoqoftë, jemi vonë me këto epitete, sepse asgjë nuk kanë lënë pa thënë këtij artisti, që e nisi rrugën e mundimshme të këngës me rock, dhe që duke kënduar kërkon ta shpëtojë botën. Celentano del pak në publik e, kur ndodh kjo, e gjithë bota mediatike italiane, dhe jo vetëm, përfshihet nga një refren i paevitueshëm, nga polemika. Nga goja e Adrianos dalin këngë dashurie, mendime të zgjuara, por edhe lëvizje të papritura të belit, të shoqëruara me sulme ndaj politikës ose arkitektëve urbanistë. Djaloshit të “24 mijë puthjeve”, data 6 janar i solli ditëlindjen e shtatëdhjetë, vite që mbajnë mes tyre një gjysmë shekulli karrierë muzikore, kinematografike dhe televizive.
Me 70 milionë disqe të shitura, Celentano vazhdon të mbetet personazhi më i diskutuar italian, i cili strehëzën më të shtrenjtë ka familjen, gruan Claudia dhe tre fëmijët, Rosita, Giacomo dhe Rosalinda.
Adriano Celentano u lind më 6 janar 1938 në Milano, në shtëpinë me numrin 14, që ndodhej te rruga “Gluck”. Kjo rrugë u bë e famshme, si titulli i një kënge mjaft të suksesshme të disa viteve më pas.Adriano është biri i prindërve puljezë, të cilët emigruan në Milano, në kërkim të një jete më të mirë.Adoleshenca e gjen Celentanon larg shkollës, i detyruar të bëjë punë të ndryshme për të mbijetuar, mes tyre, ai si të preferuar kujton zanatin e orëndreqësit.Megjithëse dukej ëndërr e largët, Adriano nuk u ndal kurrë para dëshirës për t’u marrë me muzikë dhe, për herë të parë debuton në Teatrin Smeraldo, së bashku me Tony Renis, në një grup muzikor që mbante emrin “Qejflinjtë e ritmit”.Pas njërës prej shfaqjeve të fillimit, ai takohet me kampionin e muzikës rock-boogie, Bruno Dossena, i cili e fton të marrë pjesë në Festivalin e Rock’n’roll-it, që zhvillohej në Pallatin e Akullit në Milano. Atje Adriano Celentano mori pjesë i shoqëruar nga kompleksi “Rock boys”, ku bënin pjesë artistë që në të ardhmen do bëheshin firma të mëdha të muzikës italiane, si Giorgio Gaber, Enzo Jannacci dhe Luigi Tenco.Megjithëse kishte shumë pjesëmarrës, dukej se i vetmi këngëtar i vërtetë rock, ishte ai “Adriano il Molleggiato” (i përdredhuri) i pari, madje i vetmi në Europë.Me këngën “Ciao, do të lajmëroj”, ai i shkatërroi krejtësisht konkurrentët e tjerë dhe vetëm pas tri ditësh nënshkruan kontratën e parë me shtëpinë diskografike milaneze “Saar”, me të cilën prodhon këngët hit “Rip it Up”, “Jaihouse Rock” dhe “Tutti Frutti”. Në vitin 1958 ai është sërish pjesëmarrës në edicionin e dytë të festivalit të muzikës Rock’n”Roll dhe, për herë të parë shfaqet si figurant në filmin “Të nxituarit”.Data 13 korrik 1959 është dita e Festivalit të Anconës, ku Celentano, me këngën “Puthja jote është si një rock”, bëhet fitues dhe njëkohësisht pushtuesi i klasifikimeve muzikore në mbarë Italinë. Kjo këngë e bën Adriano Celentanon të njohur.Është ky momenti kur Adriano nis ngritjen e tij artistike dhe, që nga ajo kohë nuk ka këngë apo album të tij që nuk ngjitet në vendet e para të klasifikimeve muzikore.Viti i suksesit në skenën e muzikës përkon edhe me pjesëmarrjen e tij në dy filma artistikë, “Djemtë e këngëve” dhe ” Këngë, thirrje dashurie”.Në vitin 1960 Celentano shfaqet në një sekuencë të rëndësishme të filmit të famshëm “Jeta e ëmbël”, të regjisorit Federico Fellini, i cili e kërkoi ta kishte me çdo kusht, pasi e pa në skenë duke kënduar “Reddy Teddy”. Në të njëjtin viti, ai interpreton në filmin “Ulërima pas hekurave”, “Jepi Johnny, jepi” dhe “Sanremo, sfida e madhe”. Një vit më vonë, Adriano niset të kryejë shërbimin ushtarak dhe merr pjesë në festivalin e Sanremos me këngën “24 mijë puthje”. Nuk fiton, sepse renditet në vendin e dytë, por disku shitet në më shumë se një milion kopje. Adriano në skenë këndoi duke ia kthyer shpinën publikut, dhe ky veprim bëri aq bujë sa u kthye në një çështje që u diskutua edhe në Parlament.Shkëputjen nga “Saar” e bën në 196/////////////, vit kur ai themelon “Clan Celentano”, eksperimenti i parë i një artisti italian që zgjedh të prodhojë muzikë për vete dhe për këngëtarë të rinj.”Clan” bëhet shumë shpejt një etiketë diskografike që mbeti e pavarur. Madje, edhe sot kjo shtëpi diskografike ka mbetur krejtësisht italiane dhe nuk është futur nën “kthetrat” e gjigantëve ndërkombëtarë të këtij biznesi.Modeli i kësaj etikete muzikore u frymëzua nga modeli i krijuar nga Frank Sinatra, por asnjë këngëtar italian para Adrianos nuk guxoi ta mendojë. “Clan Celentano” ua hapi rrugën etiketave të tjera muzikore italiane, si “Numero Uno” e Mogol-Battisti ose “PDU” e Minës.”Qëndro larg meje”, më 1962, është kënga e parë që del me etiketën “Clan” dhe shet një milion e treqind mijë kopje. Pasohet nga këngët “Do të lutem”, “Faleminderit, më fal, rikthehem” dhe “Tango e rëndë”. Adriano prek vendet e para të klasifikimeve më 1963-shin, me këngën ‘E shtunë e trishtuar”, dhe interpreton përkrah të madhit Totò në filmin “Murgu i Moncës”. Në të njëjtën periudhë, gjatë xhirimeve të filmit “Një tip i çuditshëm”, njihet me Claudia Morin, gruan e tij të ardhshme, me të cilën vendos një vit më vonë.Rikthimin në Sanremo, artisti e bën më 1966-n, me një këngë që për herë të parë ngjit në skenat muzikore evropiane temën e ndotjes urbane.Titulli i saj është “Djaloshi i rrugës Gluck” dhe suksesin ia garantojnë një milion e gjysmë kopje të shitura në mbarë botën, ku kënga u përkthye në tetëmbëdhjetë gjuhë.”Bota në Mi 7″, një tjetër sukses i Adrianos, ku flitet për drogën, korrupsionin dhe ekologjinë.Këngëtari u largohet paksa temave shoqërore dhe, përkrah të shoqes Claudia Mori regjistron këngën me titull “Çifti më i bukur në botë”. Kjo këngë vlerësohet me çmimin e parë të Sanremos, më 1970-n.Adriano i kthehet Sanremos me këngën “Canzone” (Këngë) që, edhe pse vlerësohet e treta në festival, mban vendin e parë në shitje. Por 1968-a mbetet në kujtesë si viti i këngës “Azzurro” (Bojëqielli), një tjetër krijim i rëndësishëm në panoramën e muzikë së lehtë italiane, së bashku me “Përkëdhelja në një grusht”, që u editua në të njëjtin vit. I ftuar nga regjisori Pietro Germi, Adriano debuton në kinemanë elitare me filmin “Serafino”, ku fiton çmime në festivalet e Berlinit, Moskës, Francës. Njëlloj si Italia mbarë, Europa çmendet për Adriano Celentanon. Ambicia artistike e Adrianos nuk mbeti vetëm në mbajtjen e statusit si këngëtari i parë rock’n’roll europian, sepse më 1972 del singëlli “Prisencolinensinanciusol”, e para këngë rap në historinë botërore. Amerikanët, që mbahen si zbulues të kësaj rryme, e sollën këngën e tyre të parë në tregun muzikor, vetëm dhjetë vite më pas. Suksesi i këngës rap shoqërohet me praninë e tij në filmin “E bardhë, e kuqe dhe…”, ku ai luan bashkë me divën Sophia Loren. Po në atë periudhë, një autor i njohur televiziv, Antonello Falqui, i dedikon këngëtarit në stacionin televiziv shtetëror Rai një spektakël me dy pjesë, me titullin “Është Celentano”. Interpretimit në kinema, përkrah bashkëshortes, Clentano i kthehet më 1973 me filmin “Rugantino”, kur, në të njëjtën kohë, këngëtari bindet nga regjisori i famshëm i filmave horror Dario Argento që të luajë në filmin e tij me titull “Pesë ditët”. Artisti shumëplanësh ka pasur gjatë gjithë karrierës dashurinë e pandarë të publikut, por në vitin 1974, pas daljes në kinema të filmit “Yuppi Du”, i shkruar, drejtuar, interpretuar dhe prodhuar nga vetë Celentano, edhe kritikët e kinemasë thirrën njëzëri: “Ka lindur një Charlie Chaplin i ri!”. Periudha nga viti 1975 deri më 1985 sjell për Adriano Celentanon intensitet të pazakontë në aktivitetin si aktor. Filmat e tij janë të parët në historinë e kinemasë italiane, që sjellin të ardhura deri në dhjetë milionë euro. Dalja e albumit “Svalutation”, ku ndihet haptazi ironia mbi ekonominë e lodhur italiane, bën që Celentano të jetë në krye të shitjeve, jo vetëm në Itali, por edhe Francë e Gjermani, ku edhe sot ai është idhull. Suksesi i albumit nuk vjen i vetëm, sepse, po në atë periudhë, këngëtari interpreton bashkë me të madhin Anthony Quinn në filmin “Bllofi”. Fillimi i viteve 90 e gjen Celentanon duke projektuar suksese të tilla, si “Mbreti i injorantëve”, “Erdhën njerëzit”. Një bum artistik i publikut dhe i kritikës ishte albumi që ai dhe Mina nxorën në treg në vitin 1998, me titullin “Mina & Celentano”. Pasi shiti një milion kopje nga ky disk, Adriano editon një të ri me titullin “Unë nuk di të flas për dashurinë”, i cili shiti plot dy milionë kopje. Televizioni shtetëror e lut që të drejtojë një spektakël, duke shpresuar në rikthimin e suksesit që ai pati me “Fantastico”. Celentano nuk zhgënjen dhe sjell në ekranin e Raiuno-s, para një publiku disa milionësh dhe vëmendjes së medieve, programin e titulluar “Shkurt, nuk më intereson”. Më 2000 del një tjetër album, “Dal rrallë dhe nuk flas shumë”. I tërhequr në jetën familjare, artisti vendos që pas dy vjetësh të risjellë një CD me titull “Përgjithmonë”. Bashkë me albumin, Celentano drejton përsëri një spektakël të suksesshëm, ku debatohet për temat më të nxehta të realitetit, me titullin “125 milionë idiotllëqe”. Fundi i tetorit 2003 sjell në treg “Të gjitha rastet, ku Celentano ka qenë numër 1”, album ku përfshihen 17 këngë të zgjedhura, mes 100 të kënduara në vite nga këngëtari i madh. Pasi pret vetëm një vit, artisti i kthehet prodhimit të albumeve dhe nxjerr një të ri, të titulluar “Ka gjithmonë një motiv”. Shitjet e albumit ecin shume mirë, ndaj Adriano Celentano tregon interesin më të madh ndaj televizionit, por një grindje me drejtuesit e Rai-t bën që ai të heqë dorë nga një projekt që kishte në kokë asaj kohe.Pas spektaklit “Rockpolitik” (tetor 2005), talenti i pashoq Celentano rikthehet pas dy vjetësh në televizion, gjithmonë në kanalin shtetëror Rai, me programin titulluar “Situata e motrës sime nuk është e mirë”.Po në muajin nëntor, kur ai është në krye të këtij spektakli, nxjerr në treg albumin me titull “Fli e dashur, situata nuk është e mirë”. Provokimi i fundit “alla Celentano” titullohet”Situata e motrës sime, nuk është e mirë” Më 23 nëntor 2007 këngëtari publikon “Fli e dashur, situata nuk është e mirë”, album që ka në kopertinën e tij një pamje të Adrianos si boksier. Ashtu si në vitet e fundit, bashkëpunimi me autorin e teksteve Mogol dhe kompozitorin Gianni Bella mbizotëron në pesë këngë të albumit, nga dhjetë që përmban ai. Megjithatë, edhe krijimet e tjera mbajnë firma të emrave të njohur, si Jovanotti, Neffa, Francesco Tricarico, Vincenzo Cerami, Carmen Consoli, si dhe një këngë e padëgjuar më parë e të madhit Domenico Modugno. Çuditërisht, këtë radhë të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike e mirëpritën këtë album të artistit eksentrik. Strategjia e Celentanos ka qenë e njohur dhe, pas editimit të albumit nuk vonoi që ai të shfaqej në ekranin e Raiuno-s me një spektakël të mbrëmjes me titull “Situata e motrës sime, nuk është e mirë”, ku me fjalën “motër” ai nënkupton planetin Tokë. Publiku e përpiu edhe këtë punë të fundit të artistit të dashur, i cili miqve të tij u rrëfeu se ky ishte një nga programet televizive më të vështira që kishte bërë ndonjëherë. “Situata e motrës sime, nuk është e mirë” u ndoq nga nëntë milionë e dyqind mijë telespektatorë. Jo vetëm spektakli, i drejtuar nga ai vetë, por edhe një speciale që Raiuno i dedikoi atij, me rastin e 70-vjetorit, rezultoi një sukses i madh dhe matësit e shikueshmërisë televizive në Itali, ku treguan se dokumentari me titullin “Adriano Celentano, jeta ime një roman”, u ndoq nga rreth tetë milionë shikues. Adriano Celentano i vërtetë është Claudia MoriVetëm një femër strikte, si Claudia Mori, mund të drejtojë, mbrojë dhe dashurojë një vullkan si Adriano Celentano. Claudia, aktore dhe këngëtare nga Roma, e takoi Celentanon në sheshxhirimin e filmit “Një tip i çuditshëm”; dhe që nga ai moment ata janë çifti më solid në shoë-bizin italian. Martesa e tyre u bë shumë sekrete në vitin 1964. Kjo lidhje u solli atyre tre fëmijë: Rosita, më 1965, Giacomo, më 1966, dhe Rosalinda, më 1968. Jeta në çift e Adrianos dhe Claudias ka rrjedhur e qetë dhe shumë e rezervuar për publikun, përveç viteve tetëdhjetë, kur u fol për një divorc dhe ata jetuan për disa kohë të ndarë. Flitet se një flirt i Adrianos me seksin e kinemasë italiane Ornella Mutti ishte shkaku i kësaj krize. Pasi i fashitën hijet e ftohjes, çifti i famshëm u gjend përsëri bashkë në filmin me titull “Joan Lui”.Claudia Mori, që prej vitit 1991 është drejtuesja e shtëpisë diskografike të familjes Celentano, “Clan”.Nga kjo shtëpi muzikore kanë dalë tituj të suksesshëm, si “S’do të ndodhë më”, “Më shtrëngo” apo kënga e njohur shumë edhe nga publiku shqiptar, “Çifti më i bukur në botë”. Megjithëse Adriano vazhdon të jetë i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij, ndonëse është i lakmuar nga televizioni dhe çdo program i tij është një sukses, meritat i takojnë gruas së tij. Pamja e saj e butë nuk ngjan aspak me atë të menaxhereve të akullta të artistëve amerikanë, por rezultatet tregojnë se Claudia, njëlloj si koleget e saj të largëta, ka bërë që bashkëshorti të fitojë shuma që krahasohen me ato të yjeve holliwoodianë. Pas pjesëmarrjes në shumë filma së bashku me të shoqin, Claudia Mori drejton me dorë të hekurt shtëpinë prodhuese muzikore “Clan”. Gjigantët nuk vijnë kurrë vetëm
Ndërkohë që viti 1998 e gjen Celentanon duke përgatitur rikthimin e radhës në televizion edhe zgjedhjet e tij diskografike duhen ndryshuar, sepse shitjet nuk po shkonin fort mirë, formula është e njohur. Dy të mëdhenj të muzikës së lehtë mund ta tronditin tregun muzikor më lehtë se një i vetëm. Pa u menduar gjatë, Adriano regjistron një album në duet me ikonën e tingujve romantikë italianë, Mina. Ata zgjedhin tema dashurie, të cilat nuk u mirëpritën nga kritika muzikore, por që patën një sukses të madh mes publikut. Duetet me titull “Ujë dhe kripë” apo “Çfarë të thashë” ishin më të transmetuarat nga radiot italiane dhe të Mesdheut, sidomos sukses pati videoklipi i tyre, ku ata ishin të vizatuar si rosa. Disku i përbashkët Mina & Celentano shiti një milion e gjashtëqind mijë kopje.
Spekter.com.al (Albania)