Përvjetori i 70-të I bekuari Çelentano
Italianët e njohin si dita e “Befanës”, shtrigës shëmtaraqe që fluturon mbi fshesë, të tjerë si dita e ujit të bekuar. Po duket se ai ka marrë pak nga të dyja, nga pjesa e shtrigës dhe bekimi i ditës së pagëzimit të krishtit. Pikërisht në një ditë si kjo, 70 vjet më parë, lindi Adriano Çelentano. Për ata që adhurojnë, jo thjesht brezi i viteve ’60-’70, por edhe sot, duket e pabesueshme se si kanë ikur kaq shumë vite. Mosha duket sikur nuk lë shenjë tek ylli i muzikës italiane. Gjithnjë energjik dhe me surpriza të reja. Këngëtari, i cili në moshën 23- vjeçare arriti suksesin e parë me këngën “24 mijë të puthura”, kënduar në Festivalin e Sanremos, sot me mbi 2500 këngë, është shembulli tipik i artistit, i cili pasqyron deri në përsosmëri karakterin e artistit të thjeshtë, por të aftë të komunikojë pa përdorur artifice.
Adriano Çelentano, lindi në një familje milaneze në 6 janar të vitit 1938. “Kur të rritesh ti, do të bëhesh këngëtar ose berber”, – i thoshte e ëma, Giuditta, kur ishte fare i vogël. Falë vokalit të tij, Çelentano u bë këngëtar, duke mbështetur krijimtarinë e tij, në ritmin e këngës tradicionale italiane. I padiskutueshëm ishte suksesi i tij në festivalin e Sanremos në vitin ’61, me këngën “24 mijë të puthura”, që u përsërit edhe në vite me këngë të tjera, ku veç motivit të dashurisë trajtohen edhe probleme të mprehta të realitetit italian. Për këngën “Kush nuk punon, nuk bën dashuri” të viteve ’70, shkroi atëherë edhe shtypi shqiptar, i kuadratizuar nga ideologjia komuniste. Por, ndërsa kënga pati jehonë jo vetëm për tingullin, por edhe për fjalët e saj, gazeta “Drita” e asaj kohe e cilësonte Çelentanon, si “grevëthyes”. Ishte koha kur rinia shqiptare e këndonte atë ilegalisht, ndërsa sot kur kanë kaluar shumë vite vazhdon të jetë i preferuari edhe i më të rinjve. Fatmirësisht mund ta dëgjosh kudo, pa patur frikë se dikush po të përgjon. Përveç zërit të tij, Çelentano shquhet edhe për një karakter interesant, që nuk ka të dytë. Tërhoqi vemendjen edhe të producentëve të filmave, duke interpretuar nga “Emigranti”, “Zonja e Bujtinës”, e deri te “Yuppi du”, ku është edhe regjisor, e që në Festivalin e Kanës zuri vendin e dytë. Edhe tani ai vazhdon të jetë në kulmin e veprimtarisë së tij artistike. Në Shqipëri pas viteve ’90-të, u krijua Shoqata “Miqtë e Çelentanos” nga një grup fansash të Çelentanos në vend. Aktiviteti i saj nuk është kufizuar vetën në ceremonitë modeste me rastin e përvjetorëve të artistit me famë. Marsi i vitit 2000, mblodhi me iniciativën e kësaj shoqate artistët më të njohur të skenës shqiptare, të cilët interpretuan këngë nga repertori i këngëtarit të famshëm . Më pas me iniciativëne kësaj shoqate u botua libri, “Parajsa është një kalë i bardhë, që nuk djersit kurrë”,dhe më pas libri ” Çelentano, artisti i shekullit”, një libër që i kushtohet këngëtarit të shquar, i cili qe ndër të parët që imitoi këngëtarët amerikanë, por që suksesin e tij të plotë e arriti me këngët e muzikës italiane në vitet ’60. Çelentano numëron dhjetëra albume, qindra këngë që ia ka kënduar vetë, apo ia ka shkruar të tjerëve. Një aktor që të sjell gjithnjë në humor dhe një drejtues spektaklesh televizive. Pavarësisht moshës, vazhdon të jetë në aktivitet të vazhdueshëm. Vetëm pak kohë më parë në 23 nëntor 2007 publikoi albumin e tij të ri “Dormi amore, la situazione non è buona”,, ku vazhdon të bashkëpunojë me mitikun Mogol, por edhe me emra të tjerë të njohur të muzikës italiane.
06/01/2008 – Shekulli.com.al (Albania)